Sonte, të dashur miq, itinerari i udhëtimit tonë do të kalojë nëpër Veriun e Skajshëm të pjesës evropiane të territorit të Rusisë. Këtu, në Gadishullin e Kolës, në kufi me Finlandën dhe Norvegjinë, ndodhet qarku i Murmanskut. Praktikisht i gjithë territori i tij ndodhet përtej Rrethit Polar dhe laget nga ujrat e akullta të Detit të Bardhë dhe atij Barenc. Kurse qendër e rajonit është Murmansku, i cili quhet si një nga qytetet më të mëdhenj të gjithë botës që ndodhen përtej Rrethit Polar.

Qarkun e Murmanskut e quajnë portë për në Arktikë. Ky është një emër mjaft simbolik, por megjithatë ai ka një përmbajtje plotësisht konkrete. Pikërisht nga porti i Murmanskut në vitin 1977-të mori startin e udhëtimit anija akullthyese
“Arktika”, e cila arriti për herë të parë në histori deri në Polin e Veriut duke lundruar në sipërfaqen mbiujore. Ky qe një hap i rëndësishëm në studimin shkencor dhe lëvrimin praktik të Oqeanit të Ngrirë të Veriut.

Në portin e Murmanskut – ndërsa ky është një nga portet më të mëdhenj që nuk ngrin në veri të Rusisë – aktualisht bazohet flota e vetme akullthyese atomike në botë. Ajo plotëson një detyrë mjaft të vështirë – u hap rrugën anijeve që transportojnë ngarkesa të ndryshme nëpër gjithë itinerarin detar Verior në Lindje të vendit, në rajonet polare, ku praktikisht është e pamundur të arrihet me transport tokësor. Ndërsa përsa i përket Polit të Veriut, deri atje tani lundrojnë bile edhe turistët me anije atomike.

Përvetësimi i Gadishullit të Kolës, në të cilin ndodhet qarku i Murmanskut, ka një historik shumëshekullor. Popullsia rrënjëse (autoktone), e cila i përket grupit fino- ugorsk, në kohërat e hershme merrej me rritjen e drerëve dhe peshkim. Që nga shekulli i XII-të pranë saamëve, banorëve autoktonë, filluan të vendosen (të ngulen) me banim të shpërngulurit, të ardhurit nga tokat ruse. Ata i tërhiqnin në këto vise pasuritë e Detit të Bardhë: peshku, balenat, fokat. Por i joshte edhe romantika e detit. Këta njerëz u bënë me kalimin e kohës peshkatarë dhe lundërtarë të përkryer, të pashoq. Deri në ditët tona ata kanë ruajtur mënyrën e hershme ruse të jetesës dhe karakterin e pavarur krenar, dialektin specifik verior si dhe shumë e shumë gojëdhëna, legjenda, këngë. Si dritën e syrit ruajnë ata edhe ndërtimet e vjetra, para së gjithash, kishat prej druri, të ndërtuara pa ngulur as edhe një gozhdë të vetme.

Murmansku është qytet peshkatarësh. Prej këtej praktikisht i gjithë vendi furnizohet me merluc. Një pjesë e mirë e sasisë së peshkut të zënë, ndërsa këtu numërohen mëse 10 lloje të ndryshme peshku, eksportohet jashtë shtetit. Flota e peshkimit me rrjeta e Murmanskut është dekoruar dy herë me “Mërkurin e Artë” – biznesçmimin më të lartë ndërkombëtar.

Në këtë dekadën e fundit  janë metalurgët ata që hahen në garën për vend të parë me peshkatarët profesionistë. Industria metalurgjike – minerare u bë një nga degët më kryesore të rajonit. Që në vitet e 1920-ta në qarkun e Murmanskut u zbulua një nga vendburimet më të mëdha të apatiteve në botë – lëndës së parë të paçmuar që përdoret për prodhimin e plehrave kimike. Në nxjerrjen dhe përpunimin e apatiteve, si dhe prodhimin e metaleve me ngjyra – nikelit, aluminit, cirkonit  — bazohet ekonomia e qarkut.

Por nuk është e largët dita kur qarku i Murmanskut do të renditet ndër rajonet më kryesore të nxjerrjes së naftës dhe gazit të Rusisë. Sepse një nga vendburimet më të mëdha të gazit të kondensuar Shtokmanovskoje, në shelfin e detit Barenc, për përvetësimin e të cilit po përgatitet t’ia hyjë punës seriozisht “ Gazprom-i ” rus, ndodhet pikërisht më afër bregdetit të Murmanskut.

Në shekullin e XX-të Rusia filloi ta vlerësojë Gadishullin e Kolës si një nga rajonet më të rëndësishëm strategjiko – ushtarakë të vendit dhe krijoi këtu Flotën ushtarako – detare të Veriut. Pagëzimin e vet me zjarr kjo flotë e mori në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Flota e Veriut është flota më e fuqishme e Rusisë, potencialin kryesor të së cilës e përbëjnë anijet nëndetëse atomike.

Banorët e Murmanskut preferojnë tej mase llojet dimërore të sportit. Veçanërisht shumë pjesëmarrës, turistë dhe mysafirë mblidhen në kremtimin e Festës së Veriut – e cila është si njëfarëlloj olimpiade polare e llojeve dimërore të sportit. Në këtë festë masin forcat e tyre jo vetëm skiatorët, biatlonistët, por edhe mjeshtrat e llojeve ekzotike të sportit, të tilla si garat me drerë të mbrehur në slitë.

Kurse tani përqendroni vemendjen tuaj, të nderuar radiodëgjues, ndaj pyetjes së radhës të viktorinës sonë: “Si quhet anija akullthyese, e cila arriti të lundrojë për herë të parë deri në Polin e Veriut?”

Përgjigjet e pyetjeve mund të na i dërgoni në adresë të redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe të radiostacionit “Zëri i Rusisë” ose nëpërmjet postës elektronike me këtë adresë: letters@vor.ru