Itinerari i udhëtimit tonë të sotëm do të kalojë nëpër territorin e republikës më të madhe të Rusisë për nga sipërfaqja e vet – Jakutisë. Ajo shtrihet në gjysmën e Siberisë Perëndimore dhe pothuajse në gjithë Siberinë Lindore, dhe duhet thënë këtu, se një pjesë e konsiderueshme e rajonit ndodhet përtej Rrethit Polar dhe brigjet e tij lagen nga detrat e Oqeanit të Ngrirë të Veriut.

Jakutia është një republikë në të cilën jeta e njerëzve rrjedh në kushte klimaterike ekstremale. Mjafton vetëm , aktë thuhet se në territorin e saj ndodhet poli i ftohtësisë. Minimumi absolut i temperaturës për hemisferën veriore është regjistruar në rajonin e qytetit Ojmjakona -  -72,2 gradë nën Celcius. Kurse ngricat me temperatura -40 deri në -50 gradë janë një dukuri krejtësisht e zakonshme për banorët e Jakutisë.

Dhe, në përgjithësi, i gjithë territori i republikës është tërësisht zonë e ngricës së përjetshme. Toka këtu nuk arrin të shkrihet bile as në verë kur bën mjaft vapë – deri në + 30 gradë. Pikërisht për këtë arsye në truallin e kësaj republike, si në dhomën e ngrirjes së një frigoriferi të mrekullueshëm natyral, janë ruajtur mjaft mirë eshtrat e kafshëve relikte, të cilat kanë jetuar në Tokë mijëra vjet më parë dhe që u zhdukën si rezultat i evolucionit, mamuthët, për shembull.

Miliona vizitorë të Ekspozitës Mbarëbotërore EKSPO – 2005 në Japoni u bënë dëshmitarë të një sensacioni të vërtetë: atyre iu demonstrua koka e një mamuthi me përmasa mjaft të mëdha – më tepër se tre metra së bashku me dhëmbët, në të cilën ishin ruajtur për mrekulli lëkura me gjithë qimet, sytë. Mosha e kokës së mamuthit, e përcaktuar në mënyrë shkencore, është 18 mijë e 600 vjet. Kjo kokë u zbulua disa vite më parë në Jakuti dhe u bë eksponati kryesor i ekspozitës EKSPO – 2005-së.

Popullsinë autoktone të republikës e përbëjnë jakutët, ose populli saha, siç e quajnë veten ata. Ky është populli më i madh turkofolës i Veriut të Skajshëm, por përveç tij në Jakuti jetojnë edhe popujt të tjerë të vegjël rrënjës. Kurse udhëtarët rusë filluan ta studiojnë dhe ta përvetësojnë truallin e Jakutisë aty nga shekulli i XVII-të.

Ia rritën vlerën e lavdinë në nivel botëror Jakutisë nëntoka mjaft e pasur e saj, e cila përmban elmaze dhe ar, si dhe gëzofët e kafshëve. Vendburime ari u zbuluan në fillim të shekullit të XX-të në lumin Alldan. Ari i Jakutisë – i ashtuquajtur kokërrizor, gjendet në formë kokërrash të vogla, grimcash të cilat hidhen në sipërfaqen e tokës prej rrymave të ujrave lumore. Por duhet thënë se vendburime ari ka shumë këtu, bile edhe në shekullin e XXI-të u zbuluan tre të reja.

Në botë Jakutinë nuk e përceptojnë dot ndryshe veçse si vendin e elmazeve, megjithëse historiku i industrisë së elmazeve të kësaj krahine numëron vetëm gjysëm shekulli që nga koha e fillimit të vet. 150 tuba kimberlitë në territorin e
Jakutisë përmbajnë elmaze, 13 prej tyre i përmbajnë ato në koncentrimet industriale.

Me përpunimin dhe shitjen e elmazeve merret kompania e famshme ruse “ALLROSA”. Ajo është vendosur në kryeqytetin e elmazeve të republikës – qytetin Mirnij — dhe nxjerr çdo vit gurë të çmuar me shumë prej më tepër se 1 miliardë dollarësh.

Në tajgën e Jakutisë ka kaq shumë kafshë të egra me gëzof të çmuar saqë do të dukej, në vështrim të parë, se nuk ekziston kurrëfarë domosdoshmërie për rritjen e tyre artificiale. Por vrasja me përmasa të mëdha, pa karar, e këtyre kafshëve me gëzof mund të ndikojë në prishjen e balancës së shumëllojshmërisë biologjike të rajonit në fjalë. Prandaj, për këtë arsye, në Jakuti është krijuar industria e rritjes dhe mbarështimit të kafshëve të tilla: si dhelprave me gëzof ngjyrë argjendi në të zezë, dhelprës së bardhë polare, vizonit (një lloj shqarthi ky).

Përpjekjet e para për rritjen e kafshëve të egra me gëzof në kushte artificiale janë ndërmarë që në fund të shekullit të XIX-të. Kurse zhvillimi gjithkund i rritjes dhe mbarështimit të kafshëve me gëzof filloi në republikë aty nga vitet e 30-ta të shekullit të kaluar. Në ditët tona rritja e tyre zë një nga vendet kryesore në ekonominë bujqësore të republikës.

Midis monumenteve të kulturës të Jakutisë ka edhe gjëra të rralla me rëndësi mbarëbotërore. P.sh., shkëmbinjtë me forma të pazakonta, të cilët ngjajnë me shtylla që lartësohen gati 40 kilometra përgjatë bregut të lumit Lena. Në to janë ruajtur vizatime të realizuara me bojë të verdhë natyrale minerale të cilat shëmbëllejnë me figura të stilizuara njerëzish dhe kafshësh. Mosha e këtyre vizatimeve në shkëmbinjtë e lartpërmendur numëron disa mijëra vjet.

Edhe një gjë tjetër mjaft e rrallë është eposi letrar i popullit jakut “Ollonho”, i cili u vlerësua nga UNESKO si kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit.

Ngjallin admirim të madh në mbarë botën edhe sendet e punuara nga duart e arta të kockëgdhendësve jakutë: peshtafe, kuti të mrekullueshme për ruajtjen e gjërave të çmuara, unaza, gjerdanë, varëse të bëra me dhëmbë luanësh deti.

Kurse tani përqendroni vemendjen tuaj, të nderuar radiodëgjues, ndaj pyetjes së radhës të viktorinës sonë: “Si e quajnë vetë jakutët popullin e tyre?”

Përgjigjet e pyetjeve mund të na i dërgoni në adresë të redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe të radiostacionit “Zëri i Rusisë” ose nëpërmjet postës elektronike me këtë adresë: letters@vor.ru